Armando Broja do të jetë pjesë e Fulham të paktën deri në përfundimin e sezonit aktual. Fulham gjeti akordin me Chelsean, teksa shpenzoi katër milionë euro për ta huazuar sulmuesin e kombëtares. Vetë 22-vjeçari shqiptar foli për sajtin zyrtar të Fulham ku theksoi se mezi pret të zbres në fushë. Ndër të tjera, sulmuesi shtoi se ndjehet i nderuar dhe i emocionuar për faktin se i është bashkuar një klubi si Fulham. “Është një ndjesi e mrekullueshme. Jam i lumtur që ndodhem këtu, mezi pres të filloj, të takoj lojtarët dhe trajnerin. Tifozët luajnë gjithmonë një rol të madh dhe mezi pres të shkoj në Craven Cottage dhe t’i takoj të gjithë. Do të punoj shumë për ekipin, të krijoj një lidhje të fortë. Jam me të vërtetë i nderuar dhe i emocionuar që ndodhem këtu”, u shpreh Broja për sajtin zyrtar të Fulham. Broja pritet të debutojë me Fulham në ndeshjen e datës tre shkurt, në transfertë ndaj Burnley. Sulmuesi shqiptar në këtë aventurë me Fulham do të mbajë numrin nëntë në fanellë.
sfidanti.al