Kjo skuadër sikur ka harruar se çfarë përfaqëson, dhe këta lojtarë nuk e mbajnë mend sesi quhen, sesa vlen kartoni i tyre, dhe sesa çfarë cilësie kanë. i tillë Çelsi që po e mbyll shumë keq sezonin, me notën e vetme të mirë kualifikimin në finalen e Kupës së Anglisë. Kundër Arsenalit u mposht 2-4 në “Stemford Brixh” në Premier Ligë dhe kjo ishte humbja e tretë radhazi në shtëpi në të gjitha kompeticionet. Nisi me disfatën 1-4 ndaj Brentfordit, vazhdoi me atë 1-3 ndaj Realit dhe tani 2-4 me “topçinjtë”. Golaverazhi është i tmerrshëm 4-11, a thua se është një ekip që po bie nga kategoria. E qartë që po ndikon gjendja e rëndë në klub, as në qiell e as në tokë, me Roman Abramoviçin, edhe pronar, edhe jo. “Nëse ne do të luajmë kështu edhe më tej, çdo ekip do të na mundë, – tha trajneri Tomas Tuhel, – ne kemi 3 humbje radhazi në shtëpi me një numër të pabesueshëm gabimesh. Kur fal 3 gola nuk mund të shpëtosh. Unë e urrej të humbas, as nuk bëhet fjalë të pranoj të humbasim 3 ndeshje radhazi në shtëpi. Nuk dua të bëj kritika, as analiza, kam nevojë vetëm të fle”.
Sfidanti.al