Sinan Idrizi dhe Flamurtarin shohin ëndrra me Ligën e Epirit!

Kur vjen puna tek decentralizimi, UEFA nuk e ka me shumë qejf, ashtu si FIFA apo edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Gjithsesi, kjo fjalë duket e shenjtë për presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili dëshiron që nëpërmjet decentralizimit të bëjë para për të dalë me fitim me klubin e tij. Njeriu që arriti një sukses më në fund duke e ngjitur ekipin e shquar të Vlorës në Kategorinë e Parë (nga e Dyta), beson se stadiumi “Flamurtari” do të mbushej shumë më tepër me tifozë nëse aty do të luanin Janina, Follorina, Arta, Korfuzi apo Igumenica, sesa Tirana, Partizani, Vllaznia, Kukësi, Laçi apo Teuta. Nuk dihet nëse do të jetë vërtet kështu, por gjithsesi një Ligë e Epirit siç e kërkon Idrizi nuk duket se ka ndodhur ndonjëherë të paktën në Europë. Mund të ketë turne mes ekipeve kryesore të dy apo më shumë shteteve, por jo mes disa prej ekipeve të dy shteteve. Gadishulli ka pasur Kupë Ballkanike, ndërsa në sportet e tjera, vendet e ish-Jugosllavisë kanë Ligën e Adriatikut, por jo në futboll. Kjo “ëndërr epirote” ndoshta do të mbetet në “sirtar”.

Sfidanti.al