Bonucci heq dorë nga “lufta” me Juventusin

Leonardo Bonucci dhe Juventus bëjnë paqe. Pas një ndarje aspak konsensuale në verë, mbrojtësi dhe klubi italian gjejnë “gjuhën e përbashkët” dhe shmangin luftën në kolegjin arbitral duke mos hedhur kështu poshtë të gjithë vitet e bashkëpunimit. Kujtojmë se në verë, drejtuesit bardhezi e nxorrën jashtë organike mbrojtësin dhe nuk e lejuan të stërvitej me pjesën tjetër të skuadrës. Në këtë formë, Bonucci nisi një aksion ligjor ndaj “Zonjës së Vjetër” duke pretenduar se klubi e dëmtoi në aspektin sportiv dhe në imazhin e tij ndërsa kërkonte dëmshpërblim financiar. Megjithatë, tashmë konflikti mund të konsiderohet tërësisht i mbyllur me Bonuccin dhe Juventusin që nëpërmjet një deklarate i japin fund ndasisë së kohëve të fundit. Aktualisht, 36-vjeçari është pjesë e Fenerbahes, me turqit që e transferuan këtë merkato nga Union Berlin.

sfidanti.al