Bombat godasin Championsin, anulohet Dortmund-Monako!

Tri shpërthime janë arsye e mjaftueshme për të ndaluar atë që quhet “më e rëndësishmja nga gjërat e parëndësishme në botë”. Futbolli i bëri rrugë kujdesit, pasi autobusi i Borusias së Dortmundit u godit nga tri shpërthime njëri pas tjetrit, që për fat të mirë nuk sollën viktima. Vetëm një i plagosur, mbrojtësi katalanas i Dortmundit, Mark Bartra, por raportimi është se lëndimet e tij janë të lehta. Bartra u dërgua në spital për kujdes, pasi pësoi çarje në duar nga xhamat e thyer nga shpërthimi, të dritareve të autobusit.

Nuk u luajt në “Signal Iduna Park”, por ndeshja ndaj Monakos u shty për nesër në të njëjtën orë. E qartë që Dortmundi nuk mund të ishte në gjendje për të zhvilluar një takim të nivelit të Championsit. Policia njoftoi se, sidoqoftë, asnjë rrezik nuk u kanosej tifozëve dhe askujt tjetër rreth e rrotull stadiumit apo brenda tij. Shpërthimet ndodhën pranë hotelit të skuadrës gjermane “L’Arrivee”.

Një akt edhe më i rëndë ndodhi pak ditë më parë në Suedi, veçse ishte fjala për një sulm terrorist në rrugë, dhe pa lidhje me ndeshje futbolli. Besohet se edhe ngjarja në Dortmund mund të ketë po këtë “sfond”.

Sfidanti.aldortmund1