Ernest Muçi mund të ndryshojë ambient në janar, për t’u larguar nga Beshiktashi të paktën përkohësisht, derisa të rigjejë formën e tij më të mirë. Ky është vendimi që supozohet se ka marrë klubi turk, për të ndihmuar veten dhe sulmuesin shqiptar i cili nuk po kalon një moment të favorshëm. Forma e Muçit ka rënë si pasojë e mosaktivizimit dhe në mediat turke, tani theksohet se Beshiktash është i interesuar që ai të rigjejë nivelin më të mirë. Kjo, edhe për faktin se Beshiktashi tashmë kërkon të shesë futbollistin për të cilin shpenzoi 10 milionë euro në janarin e vitit 2024, por nuk ka marrë oferta konkrete për të. Kësisoj, po mendohet huazimi i tij në janar në klube turke që janë të gatshme të përfitojnë nga cilësitë e lojtarit dhe që i garantojnë atij aktivizimin e vazhdueshëm për të gjetur formën më të mirë. Në këtë mënyrë edhe Muçi do të përfitonte, por edhe Beshiktashi që synon kësisoj të kthejë interesin e blerësve për sulmuesin kuqezi.
sfidanti.al