Në fund të fundit, titullin e fiton ai ekip që shënon dhe kuqezinjtë e Piolit këto kohë nuk po ia dalin. Në stadiumin “Olimpiko” të Torinos, Milani gjeti përballë një ekip vendas të mobilizuar mbi 100 për qind, dhe një portier që “hipnotizoi” sulmuesit miq, siç ishte Etrit Berisha. Lajmet për kombëaren shqiptare janë të mira sepse kapiteni është tepër në formë, jo vetëm që po luan. Barazimi 0-0 jashtë fushe i kujtoi Milanit se kampionati është ende i gjatë, ndërsa mediat italiane theksuan se tashmë Interi është kthyer në “pole position” në garën për titull. Vërtet është 2 pikë prapa, por ka një ndeshje të prapambetur.
Në kryeqendrën e Piemontit, Berisha bëri të paktën 3 pritje vendimtare, në pjesën e parë ndaj Kalabrias dhe pas pushimit kundër Zhirusë e sidomos Tonalit. Në anën tjetër, lojtari i përfaqësueses së Kosovës, Vojvoda, thuajse shënoi, por gjuajtja e tij u grushtua mrekullisht nga Menja. “Na mungon shkëndija për të shënuar golin, – tha trajneri milanist, Pioli, – e dinim sesa e vështirë do të ishte, por krijuam raste të shumta, edhe pse nuk shënuam dot. Është një periudhë e tillë ku prej 2-3 javësh na quajnë favoritë, por bëjmë hapa të gabuar”. Tekniku i Torinos, Juriç, deklaroi se “ne krijuam shumë dhe duhej të kishim marrë më shumë se 1 pikë”. Milani kryeson Serinë A me 68 pikë, Interi ka 66, por edhe një ndeshje më shumë për të luajtur.
Sfidanti.al