Bërdariç: Urime Pavarësinë, ndaj Bylisit vetëm për fitore!

Në “Adush Muça” të Ballshit, Bylis dhe Vllaznia do të nisin Javën e 15-të të Abissnet Superiore. Në vigjilje të këtij dueli,  në konferencë për shtyp doli Tomas Brdariç. Numri një i pankinës të ekipit shkodran ka vlerësuar në maksimum  kundërshtarin duke u kërkuar të tijve të mos e gjykojnë në bazë të pozicionit në renditje. “I urojmë Shqipërisë për Pavarësinë, kemi një objektiv për ndeshjen e nesërme në Ballsh dhe sot jemi mes përgatitjeve dhe festës. Është një ndeshje komplet ndryshe, disa javë më parë kanë sjellë një trajner me eksperiencë si Nevil Dede dhe duhet të përgatitemi sa më shumë për ndeshjen e nesërme”, tha tekniku gjerman. “I kemi cilësitë dhe stilin e lojës, na pret një ndeshje e vështirë dhe duhet të jemi të fokusuar për 90 minuta. Ne e dimë situatën tonë, jemi duke u rritur çdo ditë. Duhet të kemi balancë në sulm dhe mbrojtje, duhet të jemi fizikisht dhe psikologjikisht të përgatitur, të disiplinuar, sidomos në mbrojtje dhe të mos i japim mundësi kundërshtarit, na duhet një performancë e mirë nesër”, komentoi Bërdariç.

 

sfidanti.al