Kur Inui shënoi të dytin, një tjetër tronditje e madhe ishte afër. Belgjika stërfavorite, dhe e stërvlerësuar, Belgjika e talenteve që ia ka zili gjithë bota, e shihte veten të eleminuar nën dizavantazhin 0-2, ndërsa luhej pjesa e dytë e ndeshjes ndaj Japonisë në Rostov. Pasi dominuan siç duhet pjesën e parë, por pa arritur të shënonin, europianët e gjetën veten papritur në një situatë që u duk pa kthim.
Fillimisht, Haraguçi e pastaj Inui ishin autorët e golave për skuadrën e çuditshme nga Lindja e Largme. Pas rënies së Gjermanisë e Spanjës, Botërori po tregonte se qendra e rëndesës së futbollit kishte ndryshuar dramatikisht.
Gjithsesi, parimi ishte, është dhe mbetet se një ndeshje luhet derisa vërshëllen gjyqtari dhe Belgjika, e pati parasysh këtë. Superlojtarët e saj, Hazar, De Brujn, Mertens, Lukaku, por edhe Vertongen, Kompani e Felaini, mblodhën veten në momentin më të vështirë, shenjë e qartë e një karakteri prej kampionësh.
Përmbysja erdhi logjike dhe bindëse. Vertongen ktheu shpresën në minutën e 69-të, dhe pa kaluar pesë minuta, Felaini konkretizoi ndryshimin e taktikës belge. Trajneri Martinez, me shumë zgjuarsi, hoqi nga loja futbollistë të shkurtër si Mertens, dhe futi shtatlartë si Felaini, në një ndeshje pa hapësira. Fundi ishte madhështor dhe kualifikimi i Belgjikës ishte i merituar. Keqardhje për Japoninë tepër serioze, dhe paralajmërim për Brazilin.
Sfidanti.al