Dy gola në një ndeshje në Rusi nuk janë pak, por Bekim Balajt kjo i duket krejt normale. Sulmuesi i kombëtares ishte një ndihmë e madhe për Terekun e Groznit, duke nisur përmbysjen e rezultatit në stadiumin e Uralit, në favor të çeçenëve.
Vendasit kishin kaluar të parët në epërsi, por sulmuesi shkodran fillimisht barazoi në fund të pjesës së parë, ndërsa me të nisur pjesa e dytë e kaloi Terekun përpara. Ndeshja e javës së 12-të të përfundonte 4-1 për miqtë, ndërsa me dy golat e shënuar, Balaj u ngjit në kuotën e 7 rrjetave, duke qenë një nga më të mirët e Premier Ligës. Tereku ka 21 pikë, po aq sa CSKA-ja e Moskës, kampionia në fuqi që mban vendin e tretë.
Gjithsesi, nëse ka një sulmues të ekipit kombëtar që është më në formë nga të gjithë, ai është Azdren Llullaku. Djali nga Kosova realizoi edhe dy herë të tjera në kampionatin rumun, dhe mbeti golshënuesi më i mirë. Ekipi i tij, Gaz Metan luajti në fushën e Targu Mureshit dhe fitoi 3-1 ku meritën kryesore e pati pikërisht Llullaku pasi siguroi epërsinë 2-0. Ai e kaloi në avantazh në minutën e 7-të, ndërsa kur kishte kaluar gjysmë ore lojë dyfishoi rezultatin.
Tashmë, 28-vjeçari arriti në kuotën e 14 golave duke qenë golshënuesi më i mirë i Ligës së Parë të Rumanisë, ndërsa Gaz Metan pretendon një vend të paktën në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. Skuadra e shqiptarit ka 23 pikë dhe ndodhet në vendin e katërt, në pozita të barabarta me vendin e tretë.
B. Kuka