Bayern Munich do të ndahet me Thomas Tuchel në fundin e sezonit, por Lothar Matthaus mendon se një gjë e tillë duhet të ndodhë më shpejt. Madje menjëherë. Fituesi i Topit të Artë në 1990 dhe ish-kapiteni i Bayern Munich, tregon edhe personin që duhet të zëvendësojë teknikun aktual të skuadrës bavareze. Matthaus sugjeron Hermann Gerland, 69-vjeçarin që ka punuar te Bayerni si ndihmës trajner, menaxher i Akademisë dhe trajner i skuadrës së dytë.
“Arrij ta imagjinoj Gerland trajner të Bayernit. Një emër shumë popullor dhe i madh te bavarezët. Ai mund të bashkojë skuadrën dhe mund të rikthejë lojën e bukur. Nëse Bayerni lë mënjanë përçarjet dhe rikthehet të luajë si skuadër, dhe mundësitë i ka, atëherë ata mund të jenë ndër favoritët për fitimin e Champions League. Gerland është në gjendje të motivojë skuadrën, t’u japë besim lojtarëve dhe t’u tregojë atyre se çfarë duhet të bëjnë. Bayerni ka nevojë për dikë që sjell qetësi. Dhe Gerland do të ishte personi i duhur për këta tre muaj. Ai e njeh shumë mirë ekipin, edhe lojtarët i njeh të gjithë personalisht”, theksoi Matthaus.
sfidanti.al