Bajerni nuk e blen, Liverpuli nuk e kthen, Barça nuk e do Kutinjon!

Braziliani elegant është bërë viktimë e vetë suksesit që arriti dy vjet më parë. Një nga lojtarët më të talentuar të botës, Filip Kutinjo, ka hyrë në një karusel gjigand, nga i cili nuk po arrin të dalë, dhe do t’i duhet të shkëlqejë shumë këtë sezon me Bajernin, që të sigurojë një të ardhme për të qenë. Kutinjo është i huazuar në Mynih, por bavarezët nuk do të shpenzojnë 120 milionë euro për të marrë kartonin, një shifër që në Gjermani nuk justifikohet me asnjë rekord golash e asistesh. Ata kanë paguar 8 milionë euro për huazimin dhe 11 milionë euro rrogën vjetore të brazilianit.

Po Liverpuli? Shefi ekzekutiv, Piter Mur, ishte shumë i qartë në vlerësimet e tij. “Kutinjo është një lojtar shumë i mirë, por pas largimit të tij, ne humbëm vetëm një ndeshjen në Premier Ligë, – tha ai, – ndryshoi mënyra e lojës së ekipit. Plus që, me paratë e marra nga Kutinjo ne sollëm Alisonin”. Vetë braziliani është shprehur se “kam qenë i lumtur në Liverpul, kam shumë miq, por unë nuk kthehem prapa, vetëm shikoj përpara”.

Barcelona? Nuk dihet nëse katalanasit do të binden ta mbajnë, pasi fillimisht nuk dha atë që pritej. Për këtë erdhi edhe huazimi, ndërsa Kutinjo shënoi vetëm 11 gola në 54 ndeshje, ndonëse ajo ndodhi me Valverden, ndërsa me Setienin gjërat mund të jenë ndryshe. Gjithsesi, Kutinjo mund të gjente vend tek Juventusi, Interi apo Paris SG, nëpërmjet marrëveshjeve të caktuara.

Sfidanti.al