Stërvitja e fundit në Shqipëri ditën e martë dhe më pas nisja drejt Pragës të mërkurën në orët e para të ditës. Kombëtarja Shqiptare po finalizon punën për të përgatitur sfidën e katërt të grupit E pas dy fitoreve rresht me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Trajneri Sylvinho është kujdesur kryesisht për të menaxhuar energjitë e një pjese shumë të rëndësishme të skuadrës të cilët janë bashkuar me kuqezinjtë gjatë orëve të fundit ndërsa Ramadani, Hysaj, Gjimshiti apo Muçi do të punojnë normalisht me pjesën tjetër të grupit pasi u lanë pushim për shkak të ngarkesës së madhe që morën në fundjavë ku u aktivizuan titullarë me skuadrat e tyre respektive.
Përmirësohet gjendja e Qazim Laçit që vuajti për shkak të një viroze stinore dhe mesfushori do të udhëtojë drejt Çekisë për sfidën vendimtare të së enjtes ora 20:45 në stadiumin “Fortuna Arena”, një nga më të rëndësishmet e kësaj fushate kualifikuese ku Shqipëria synon një nga dy vendet e para të grupit për të siguruar pjesëmarrjen e dytë në një europian. Momentalisht, grupi kryesohet nga Çekia me 7 pikë, 1 më shumë se Shqipëria ndërsa Polonia që do të vizitojë Tiranën në datën 10, mbetet në vendin e katërt me 3 pikë.
Sfidanti.al