Si trajner ka nisur të tregojë vlera, ndonëse që të kthehet në rrugë të mbarë një “transoqeanik” si Arsenali nuk do të jetë e lehtë. Mikel Arteta vlerësohet nga tifozët e “topçinjve” si njeriu që ka nisur kthesën në “Emirejts”, pas “plakjes” gjatë epokës së Arsen Vengerit dhe kaosit në kohën e Unai Emerit, ndërsa një nga veprimet e tij më të qëlluara cilësohet rikthimi në formë dhe në formacion i Granit Xhakës. Ish-kapiteni ishte pranë largimit pas përplasjes me tifozët, por tashmë është titullar. “Isha gati të largohesha, – shprehet Xhaka, në prag të finales së Kupës së Anglisë ndaj Çelsit, – nuk është se e kisha menduar më parë që të ikja, por ajo që ndodhi ndikoi shumë tek unë. Falë trajnerit, gjithçka kaloi”.
Gjithsesi, është tjetër gjë të kesh sukses me një lojtar, dhe tjetër me një ekip. Së pari, nga Arteta kërkohet fitorja e Kupës, që do të thotë edhe kualifikim në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm, përveçse një trofe. Sidoqoftë, kjo nuk do të mjaftojë dhe tifozët do të kënaqen vetëm nëse Arteta e bën Arsenalin “klient” të rregullt të Championsit, dhe ekip të aftë të pretendojë titull, si në 9 vitet e para të Vengerit.
Sfidanti.al