A do të mundet revista “Shpigel” ta çojë Sitin sërish në gjyq?!

“Artileria e rëndë” nga Gjermania nuk i ka harxhuar të gjitha “gjylet” e veta. Revista “Der Shpigel” sërish pati në shënjester Mançester Sitin duke shkruar se klubi anglez kreu një tjetër faj, duke gënjyer në seancën përpara Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës. “Shpigeli” shkruan se ka e-mailet që tregojnë se Siti gënjeu në dëshminë e tij para tribunalit, ndërsa KAS-i rrëzoi përjashtimin 2-vjeçar të skuadrës së Guardiolës nga Championsi, vendim të marrë më parë nga UEFA.

KAS-i e bazoi vendimin në shqyrtimin e 7 e-maileve të Sitit, që u morën si shembull nga UEFA në dënimin e saj, duke shpallur se këto materiale nuk tregonin se sheikët e klubit kishin shkelur rregullat e Lojës së Ndershme Financiare. “Der Shpigeli” pretendon se ka në zotërim një sasi tjetër letrash elektronike, të cilat provojnë fajësinë e anglezëve. Klubi i “Etihadit” deklaroi se kjo është një tjetër përpjekje cinike për ta rikthyer në gjyq, ndërsa sulmi i mediat gjermane nuk duhet interpretuar si një luftë anglo-gjermane, por si ndërhyrje gjermane në “luftën civile” në futbollin anglez, me 9 klube të Premier Ligës që kërkuan nga KAS-i që të mos e falte Sitin.

Sfidanti.al