Nga pamja e jashtme nuk kupton shumë, edhe pse punime ka plot, madje edhe në fasadë. Gjithsesi, burimet brenda kompanisë që punon bëjnë me dijë se “Arena Air Albania” e ka marrë një goditje. Ka qenë era e fortë e disa ditëve më parë, por edhe tërmeti që ka shkaktuar dëmtime, ndonëse jo për strukturat e stadiumit apo për fasadën, porse për pajisje të brendshme, sidomos prej xhami.
Flitet se shifrat e dëmeve mund të arrijnë në miliona euro, dhe kjo nga burime shumë pranë kompanisë “Albstar” që është marrë me ndërtimin e stadiumit. Shkak, sipas këtyre burimeve ka qenë lënia hapur e disa dritareve në fasadë, gjë që ka lejuar hyrjen brenda të erës së fortë, dhe fuqia e saj është rritur në korridoret e brendshme të stadiumit. Në stadium vazhdojnë punimet, ndonëse është e vështirë të dallosh nëse flitet për rregullim të dëmeve, apo thjesht për vijim të procesit të përfundimit të impiantit.
Burime nga “Arena” bëjnë me dijë se dëmet ka disa ditë që po rregullohen dhe se tani thuajse gjithçka është në rregull. Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë problem për tifozët dhe publikun që do të ndjekë Ndeshjen e Yjeve, të organizuar për mbledhjen e ndihmave për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Sfidanti.al