Angli-SHBA, ose më shumë “soccer” sesa futboll!

Ja pra që jo gjithmonë nxirren përfundimet që pas ndeshjes së parë. Anglia ishte skuadra më e shkëlqyer e Botërorit në raundin e parë në grupe, por barazimi zhgënjyes 0-0 me SHBA-në i bëri analistët që të mendonin. Çfarë ndodhi me fuqinë e futbollit, gjysmëfinaliste në Botërorin rus dhe nënkampione të Europës? Titulli i “Markës” ishte kuptimplotë: Më shumë “soccer” sesa futboll! Do të thotë se më shumë ngjau si futboll amerikan sesa si futbolli që njeh pjesa tjetër e botës. SHBA rezistoi fort dhe dita e djeshme për të ishte “Dita e Falenderimeve”, ndërsa për Anglinë doli “E Premtja e zezë”!

Puna arriti deri aty që amerikanët patën më shumë goditje dhe më shumë goditje nga këndi, edhe pse anglezët patën më shumë zotërim topi. Pulishiç u vlerësua si më i miri në fushë, më lart sesa një Kejn apo një Belingham. SHBA ishte ekip i vrullshëm, sulmues dhe plot dritë, duke qenë më i mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes e duke pasur rastet më të mira. Anglia u duk si ekip i rëndomtë, dhe sirenat e alarmit tashmë po bien fort.

Sfidanti.al