Angli-Islandë mund të luhet në Shqipëri, veçse në Shkodër!

Shpikësit e futbollit mund të jenë të detyruar të marrin çarterin drejt Tiranës e ta zhvillojnë këtu sfidën e Ligës së Kombeve ndaj Islandës. Mediat britanike njoftojnë lajmin e veçantë se Federata Angleze ka biseduar me qeverinë e saj për të gjetur një stadium ku të ndeshet me ishullorët, pasi këta të luantë në Danimarkë. Ka një vendim nga qeveria e kryeministrit Xhonson për ndalim të hyrjes së njerëzve nga Danimarka në Mbretërinë e Bashkuar. Federata do ta pyesë qeverinë nëse mund të ketë përjashtim për sportin e nivelit të lartë profesionist, apo edhe ai do t’i nënshtrohet këtij rregulli, ndërsa ndalimi i udhëtimit vlen edhe për Italinë, Holandën, Suedinë dhe SHBA-në.

“Deili Meil” shkruan se Shqipëria është kandidate e fortë për të pritur sfidën Angli-Islandë të mërkurën e 18 nëntorit. Nëse kjo gjë do të konfirmohej, atëherë ndeshja do të luhej në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, sepse “Arena Air Albania” është duke rregulluar fushën, ndërsa “Elbasan Arena” do të jetë pritëse e ndeshjeve të Shqipërisë. Mund të ekzistojë edhe mundësia që kombëtarja shqiptare të luajë në Shkodër dhe Angli-Islandë të jetë në Elbasan. “Deili Meil” shkruan se klubet anglezë nuk do të ishin aspak të kënaqur që kombëtarja e tyre të luante në Shqipëri për shkak të udhëtimit shtesë në krahasim me stadiumin “Uembli” të Londrës ku është planifikuar të zhvillohet.

Sfidanti.al