“Aberdini 1980”, dyzet vjet më parë ndodhi mrekullia e Aleks Fergusonit!

Në historinë e futbollit ka disa personalitete dhe disa momente që nuk do të harrohen kurrë, dhe që do të mbeten në “Olimp”. Kush mund të harrojë titujt e Diego Armando Maradonës me Napolin dhe Argjentinën, triumfin në Champions të Murinjos me Porton, titullin europian të Danimarkës në 1992 apo fitoren e Premier Ligës nga Leisteri i Klaudio Ranierit pak vjet më parë?

Gjithsesi, megjithë respektin e merituar për këta emra, një tjetër figurë historike futbolli duhet thënë se meriton “kurorën e artë”. Ky është Sër Aleks Fergusoni, atëherë pa titull fisnikërie, që fitoi kampionatin skocez me Aberdinin në 1980. Ndodhi 40 vjet më parë, dhe ka 40 vjet që në Skoci nuk fiton kush tjetër përveç Gllazgou Rejnxhërsit e Sëlltikut. Që nga viti 1965, në plot 55 vjet, vetëm Aberdini i Fergusonit prishi diktaturën e dyshës së kryeqytetit, ndërsa atë vit në 1965 kishte qenë Kilmarnoku.

Si për rastësi, të dyja këto skuadra u ndeshën me ekipe shqiptare, Kilmarnoku me 17 Nëntorin e Myslym Allës, Fatmir Frashërit, Ali Memës e yjeve të tjerë, në Kupën e Kampionëve (1-0, 0-0), ndërsa Aberdini me Dinamon e Luarasit, Canajt, Targajt apo Demollarit, në Kupën e Kupave (1-0, 0-0).

Triumfi u arrit në 3 maj 1980 në fushën e Hibernansit, ndërsa nën drejtimin e Fergusonit ishin lojtarë si kapiteni Uilli Miler, portieri Bobi Klark, Aleks Meklish, Arçiballd, Uatson apo Mekgi. Gjithsesi, u desh besimi i patundur i Fergit se dominimi i Rejnxhërsit dhe Sëlltikut mund të thyhej. Sër Aleksi ka fituar 48 trofe në karrierë, 10 me Aberdinin dhe 38 me Mançester Junajtidin, por ai mbetet suksesi më i madh. Më tej, ai fitoi kampionatin skocez po me Aberdinin në 1984 e 1985, Kupën e Skocisë në 1982, 1983, 1984, 1986, Kupën e Ligës në 1986, Kupën e Kupave të Europës në 1983 dhe Superkupën e Europës në 1983, duke mundur radhazi Bajernin, Realin e Hamburgun.

Sfidanti.al