Një dëmtim në minutat e fundit të pjesës së parë ndaj Bullgarisë në Paris ishte i mjaftueshëm që ai të sinjalizonte stolin për t’u zëvendësuar. Karim Benzema e pati vetëm një ndeshje e gjysmë kënaqësinë për të qenë në fushë për kombëtaren e vendit të tij, ndërsa nuk dihet nëse do të jetë gati për ndeshjen e hapjes së Europianit ndaj Gjermanisë. Për fat, kjo sfidë është pas një jave, e ndoshta sulmuesi i Realit mund të riaftësohet. Dëmtimi ishte në gju pas një kërcimi në ajër, por pjesëtarë të stafit teknik të trajnerit Didie Deshamp u thanë gazetarëve në “Stad dë Frans” se Benzema eci pa ndihmën e të tjerëve dhe pa ndonjë shenjë pengese. U tha se kishte marrë thjesht një goditje në gju. Ashtu qoftë! Kthimi i Benzemasë tek “gjelat” u bë pas 6 vitesh përjashtimi për shkak të çështjes “Valbuena”, çështjes sipas së cilës ai përdori një video për të kërcënuar shokun e skuadrës. Franca fitoi 3-0 ndaj Bullgarisë me gola të shënuar nga Antuan Grizman dhe dy herë nga Olivie Zhiru.
Sfidanti.al