A do t’i barazojë Barcelona dy rekordet e Realit në La Liga?!

Titulli është shumë i vështirë për t’u fituar, madje duhet thënë se është 99 për qind i pamundur. Barcelona shpallet kampione në Spanjë vetëm nëse gabojnë me radhë Atletiko dhe Reali, por gjithsesi Mesi me shokë sërish mund të shkruajnë histori edhe duke dalë në vend të dytë apo në vend të tretë. Nëse katalanasit dalin nënkampionë, do të thotë se do të kenë 13 sezone radhazi që janë ndër dy të parët. Që nga 2008-2009 kanë fituar 8 tituj e kanë dalë 4 herë të dytët, ndërsa 13 është numri që ka arritur Reali i Madridit i epokës 1956-1969, duke dalë 10 herë kampion e tri herë i dyti.

Nëse del në vendin e tretë, Barça do ta ketë për të 17-in edicion radhazi që nuk zbret nga podium, që nga viti 2004. Rekordin e mban sërish Reali i Madridit që doli në podium në La Liga në vitet 1951-1969, pra për 18 sezone radhazi. Edhe Reali i sotëm është në pozita të mira, sepse ky është sezoni i 16-të që del ndër 3 të parët.

Sfidanti.al