Tirana rrezikon të bjerë nga kategoria. Ky nuk është hamendësim, por fakt konkret. Pas fitores 4-1 me Laçin, Tirana jo vetëm që nuk ka bërë mirë, por në tri javë ka marrë tri pikë. Barazim me Vllazninë, me Egnatian dhe tani me Bylisin.
Një skuadër apatike që mblidhet një grusht dhe nuk arrin të mbyllë një ndeshje. Po cilat janë arsyet që kjo skuadër nuk funksionon? Ka shumë faktorë, por ja disa prej tyre që e kanë çuar në këtë gjendje ekipin më të titulluar të Shqipërisë.
Problemi i parë i kësaj skuadre është ndërtimi në verë. Skuadra u bë me shumë të huaj, të cilët nuk e njohin kampionatin shqiptar. Lojtarë që nuk e njihnin realitetin dhe ambientin bardheblu. Defekti ishte se grupi nuk pati një lider. Lider që vazhdon të mungojë. Po kështu, ekipi nuk ka mesfushorë shkatërrues, futbollist që nuk u gjet asnjëherë, ndërsa edhe afrimet e janarit një herë shkrepin dhe një herë jo.
Tirana ka një ekip me dhjetë të huaj, pa llogaritur shqiptarët që nuk janë nga kryeqyteti. Të gjithë të huajt janë “mercenarë” dhe dihet se më shumë se çdo gjë tjetër, shohin paratë. Nuk është çudi që ata ta kenë mendjen për të ikur diku tjetër dhe nxitojnë të mbyllin sezonin sa më shpejt që është e mundur. Shto këtu edhe faktin nja 6 titullarë ende nuk kanë rinovuar, situata bëhet më e ndërlikuar.
Me një mori të huajsh në ekip, të paktë janë ata që nuk e ndiejnë fanellën bardheblu. Janë në një klub dhe si punëmarrës tregohen profesionistë. Për më tepër që në skuadër, asnjë nga titullarët nuk ka dalë prej akademisë bardheblu. Një komponent, që gjithsesi nuk duhet nënvlerësuar…
Vendi ku ka luajtur ekipi ka qenë një problem më vete. Pa tifozërinë bardheblu, Tirana është e brishtë, aq sa frikësohet edhe në fushën e vet. Mungesa e tifozëve dhe luajtja jashtë kryeqytetit ka bërë që skuadra të mos e ndiejë peshën e përkrahësve të Tiranës. Udhëtimet e këtij viti kanë thyer çdo rekord te bardheblutë.
Një tjetër faktor është ndryshimi i trajnerëve. Shkëmbi, Magani dhe sërish Shkëmbi. Kjo lëvizje, që sigurisht ka “hallakatur” skuadrën, e cila është detyruar që brenda pak kohësh të bëjë para mbrapa në filozofinë e saj të drejtimit, lojës dhe qasjes së futbollit.
sfidanti.al