Një situatë e sikletshme është krijuar mes Partizanit dhe mbrojtësi nigerian Ismaila Sodiq. 21-vjeçari, i cilësuar si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë afrikanë nën moshën 23 vjeç, ishte përforcimi i parë i të kuqve në merkaton dimërore, por kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga ardhja në Shqipëri ai dëshiron të largohet. Shkaku është një ofertë më e mirë e ardhur nga jashtë, por ndërkaq ai është i lidhur me klubin shqiptar me kontratën që sapo e ka nënshkruar dhe është e vlefshme për tre vite e gjysmë. Në këto kushte, nigeriani mund të largohet vetëm nëse gjen gjuhën e përbashkët me Partizanin.
Klubi shqiptar ka paguar 50 mijë euro për ta blerë nga klubi nigerian Remo Stars dhe sigurisht që nuk ka ndërmend jo vetëm të hedhë poshtë investimin, por as t’iu nënshtrohet tekave të lojtarit që synon largimin kur ende nuk ka gjuajtur topin e parë me skuadrën e tij të re. Ndërkohë Partizani është i qetë në pozicionin e tij, për shkak të kontratës së nënshkruar, por edhe për shkak se nënshkrimi i Sodiq mund të kthehet shumë shpejt në një afar fitimprurës. Ai ka shënuar 12 gola në sezonin e kaluar me Remo Stars në kampionatin nigerian, një shifër e lartë për një mbrojtës, si dhe ishte protagonist i kombëtares B të Nigerisë në kualifikueset e Kupës së Afrikës për kombëtaret B që do të zhvillohet në shkurt. Sodiq nuk do të mund të luajë në finalet e shkurtit, pasi kompeticioni është vetëm për lojtarët që luajnë në kampionatet e vendeve të tyre.