Shqipëria në futboll për femra ka pësuar humbjen e dytë në Ligën e Kombeve. Pikërisht në “Tallegt Stadium” të Dublinit, vajza kuqezi të trajnerit Armir Grima nuk kanë mundur të përballojnë Irlandë, e cila më së shumti kishte dhe përvojën e të luajturit në Kampionatin Botëror “Australi&Zelandë e Re”. Mekkejb është truri i skuadrës irlandeze. Tregolësh i saj, por dhe dy asiste për Karuzën e kaq mjafton që Irlanda ta kthejë në festë ndeshjen me Shqipëri.
Mekkejb e ka gjetur shpejt golin për Irlandën, kjo në të 4’, duke shfrytëzuar një dalje jo të sigurtë e thuajse me dy mendje të Rexhepit. Mirëpo pas tre minutash në të vetmin kundërsulm model të Shqipërisë, Megi Doçi thyen Broznan e barazon në 1-1. Në të 26’ sërish del në pah Mekkejb, e cila me një gjuajtje nga jashtë zone, ndihmuar dhe nga devijimi i Hilës, e dërgon topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë me shërbimet e Mekkejb, Karuza shënon dy herë brenda tre minutash, ndërsa shifrat e rezultatit shkojnë në 4-1. Për ta mbyllur vjen supergoli i Mekkejb në të 81’, këtë herë nga goditja e dënimit nga rreth 20 metra, teksa topi ka përfunduar në krahun e djathtë të Rexhepit. Në vërshëllimën e fundit të Van Der Helm, 5-1 për Irlandën, e cila kryeson grupin B1 me 9 pikë. Hungaria mban vendin e dytë me 4 pikë, kjo pas fitores 3-2 me Irlandën e Veriut. E Shqipëria me vetëm një pikë në vendin e fundit me golaverazhin 2-7. Ndeshja e radhës të martën në 31 tetor, në ora 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” Shkodër, përsëri ndaj Irlandës.
sfidanti.al