Çelsi e pret shkurt për Armando Brojën: Nuk e kemi për huazim!

Është bashkuar me Blutë e Londrës për të mos u larguar. Jo vetëm Armando Broja mendon kështu, por edhe trajneri i tij, Tomas Tuhel, i cili sipas mediave angleze ka refuzuar disa oferta që i janë bërë Çelsit për ta marrë hua. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte në huazim sezonin e kaluar tek Viteshe në Holandë, ku shkëlqeu duke qenë shënuesi më i mirë në Europë për moshën nën 20 vjeç. Trajneri i kampionëve të Europës nuk gjykon se Broja ka nevojë për një huazim tjetër, por e cilëson të rëndësishëm për planet e tij dhe dëshiron që ai të përgatitet bashkë me skuadrën, diçka që edhe po ndodh.

Nuk thuhet se nga kanë ardhur ofertat, por lajmet janë që Tuheli do ta ketë shqiptarin si zgjedhjen e tretë për sulmin, diçka aspak e keqe për një 19-vjeçar dhe në një skuadër kaq të fortë sa Çelsi. Pak ditë më parë, ylli kuqezi rinovoi kontratën me Blutë e Londrës për 5 vjet deri në 2026. “Është ndjenja më e mirë që unë jam tek Çelsi, – tha Broja për televizionin e klubit, – e kam thënë shumë herë që unë jam tifoz me Çelsin, ky është klubi ku unë jam rritur. Është e mrekullueshme që mund të firmos kontratë 5-vjeçare, pra afatgjatë këtu”.

Sulmuesi tregon se shokët e kanë pritur shumë mirë, dhe se stërvitjet kanë qenë shumë të forta, me ritëm të lartë. Broja ka shënuar 3 gola deri tani në miqësoret e verës, ku spikati sidomos rrjeta në fitoren 2-1 të Çelsit në fushën e Bornmuthit, ndërsa po aktivizohet më së shumti në pjesën e dytë.

Sfidanti.al