Gjermania i bën “gjyqin” trajnerit Joakim Lëv: Jogi, ky është fundi!

Kjo disfatë e vitit 2001 ishte shumë më e thellë, por sikur ishte harruar. Duhej të kalonin plot 20 vjet që Gjermania të provonte një humbje në ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës siç i ndodhi ndaj Anglisë me shifrat 1-5 në Mynih, e duket se kjo e fundit u përjetua më rëndë. Rezultati në Duisburg ndaj Maqedonisë së Veriut ishte vetëm 1-2, por dorëzimi para ekipit të vendit të 65-të në botë duket një fakt i papërballueshëm.

Veterani 38-vjeçar Goran Pandev në fund të pjesës së parë, dhe lojtari me origjinë turke Eljif Elmas në minutat përmbyllëse i dhanë gjermanëve goditjen e rëndë, dhe nuk bëri punë goli me penallti i Ilkai Gyndoganit. Trajneri Joakim Lëv u masakrua nga shtypi.

“Mori fund, Jogi”, është titulli i pamëshirshëm i tabloidit “Bild”, Rangniku ose Kunci duhet ta marrin menjëherë në dorë skuadrën. i njëjti titull edhe për revistën e njohur, “Sport Bild”, që komenton se kjo ishte humbja e tretë historike pas eleminimit në Kupën e Botës në Rusi në 2018, dhe disfatës 0-6 me Spanjën, ndërsa shton se Joakim Lëv kërkohet për trajner nga Reali i Madridit.

E pra, sipas “Sport Bildit”, këto janë më keq se barazimi 0-0 me Shqipërinë në Tiranë në 1967 që solli eleminimin nga Europiani. “Një tjetër pikë e ulët, – shkruan “Kikeri”, – çfarë pyetjesh duhet të bëjë Joakim Lëvi pas humbjes katastrofike me Maqedoninë e Veriut? Trajneri bën thirrje për kurajë, por duket i demoralizuar!” Sulme të ashpra edhe nga ish-presidenti i Bajernit, Uli Hënes, sot analist televiziv në RTL.

“Unë nuk arrij ta kuptoj në asnjë mënyrë këtë që ndodhi, – tha Hënesi, – Është e vështirë ta shpjegosh. Nuk e kuptoj se përse duhet të ndryshohet një sistem loje kur është i suksesshëm. Mendoj se mënyra e ndërtimit të mbrojtjes ishte e gabuar, por ashtu u habita nga ndryshimi i zinxhirit ofensiv. Kur nuk arrin të bësh gjë në sulm, të paktën të mos pësosh gola”.

Vetë trajneri nuk u fsheh dhe pranoi momentin e vështirë. “Zhgënjimi ynë është kolosal, – tha Lëvi, – ne kishim themele të mira pas dy ndeshjeve të para, dhe synimi ishte të arrinim 9 pikë, dhe fakti që ndeshja na iku nga duart është faji ynë”. Trajneri do të largohet pas Europianit, ndonëse ka thirrje që të ikë që tani.

Sfidanti.al