Pasaportat e kombëtares, nga premtimi i Cakajt, tek kërkesa për t’i kthyer mbrapsht!

Për çfarë u bë kjo ceremoni e bujshme pesë vjet më parë. Vetë qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama vendosi t’i pajiste lojtarët e kombëtares me pasaporta diplomatike, në vijim të suksesit të madh në Euro 2016. Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biazi arritën në fazën finale, realizuan fitoren e parë historike dhe shënuan golin e parë, dhe Rama u ndje i detyruar për t’i dhënë një shpërblim të veçantë.

Kanë kaluar 5 vjet dhe i njëjti kryeministër ka bërë prapakthehu, duke u kërkuar zyrtarisht lojtarëve që t’i kthejnë ato pasaporta. Ministria e Jashtme ka dërguar ditën e djeshme në selinë e Federatës, kërkesën zyrtare duke i kujtuar se VKM-ja e vitit 2016 është shfuqizuar nga një tjetër VKM e 2019-ës. Nuk dihet se përse fillimisht, yjet kuqezinj u cilësuan të denjë për to, ndërsa tre vjet më pas u vlerësuan si kategori që nuk i meriton.

Jo vetëm kaq, por qendrimi i ministrit të jashtëm të asaj kohe, Cakaj, ishte me dy standarde të ndryshme. Fillimisht, ai deklaroi se pasaportat diplomatike i kanë njerëz që nuk i meritojnë. Pas polemikave që u krijuan dhe përgjigjes publike nga lojtari i kombëtares, Andi Lila, Cakaj ndryshoi qendrim në prag të ndeshjes me Islandën.

Ai shkruajti në Tuiter: “Duke i uruar kombëtares një mbrëmje të suksesshme sonte, informoj se lajmi i shpërndarë në hava, lidhur me heqjen e pasaportave diplomatike të kuqezinjve është fundekrye i gënjeshtërt”. Kombëtarja e pati mbrëmjen të suksesshme duke mundur 4-2 Islandën në “Elbasan Arena”, por të pavërteta dolën fjalët e Cakajt.

Nuk është e qartë se çfarë e detyroi qeverinë të shkelte mbi veprën e saj, interesi i njerëzve të tjerë për t’i pasur ato pasaporta që janë në numër të kufizuar, apo ndonjë rivalitet i Cakajt me paraardhësin e tij Bushati. Gjithsesi, përfundimi është që heronjtë e 2016-ës do të duhet të kthejnë pasaportat që nuk i këkuan aspak, por thjesht ua dhuruan, ndërsa duhet të jenë shumë të habitur sepse dhuratat si rregull nuk merren mbrapsht sërish.

Sfidanti.al