Armando Broja, ylli i Çelsit që ndjeu gjakun shqiptar para vendlindjes angleze!

Në moshën 19-vjeçare ka arritur vërtet shumë. Armando Broja është sot lojtar i kombëtares shqiptare, ndonëse më herët pati shansin për të zgjedhur që të luante për Anglinë. Lojtari, ende adoleshent, lindi në Slou të Anglisë në 10 shtator 2001, dhe u bë sulmuesi numër 1 i Akademisë së Çelsit të Londrës, madje debutoi edhe në ekipin e parë të drejtuar në atë kohë nga Frenk Lampard.

Shanset pra ishin që të priste për të marrë një ftesë nga kombëtarja e 3 luanëve, ndonëse kishte luajtur për ekipet përfaqësuese të moshave të Shqipërisë. Ndodhi ndryshe, ndërsa ai sqaron vendimin e tij duke folur për “goal.com”. “Natyrisht ishte një vendim i rëndësishëm, por unë zgjodha që të luaja për vendin tim, – tha Broja, – vendosa kështu sepse kam gjak shqiptar, unë jam shqiptar dhe prindërit e mi janë shqiptarë, prandaj nuk e pata të vështirë. Dua që ta ndihmoj Shqipërinë që të kualifikohet në një Botëror apo Europian, kjo është gjëja më e madhe për mua. Nëse shkojmë në Botëror, do të ishte diçka e çmendur dhe do të hynim në histori”.

Shqipëria vërtet nuk është kualifikuar kurrë në një Botëror, por përpara sesa Broja të vishte fanelën kuqezi, u kualifikua për në finalet e Euro 2016-ës nën drejtimin e trajnerit Xhani De Biazi. Sulmuesi ende nuk është titullar për trajnerin Edi Reja, por ka pasr minutazh të rëndësishëm gjatë 4 ndeshjeve të kombëtares ku ka luajtur. Broja është huazuar nga Çelsi në Holandë, ku po shkëlqen me Viteshen duke shënuar 9 gola e duke dhënë 2 asistë në 23 ndeshje në kampionatin holandez.

Sfidanti.al