Tek Milani apo tek Roma? E sigurt që Hysaj ikën nga Napoli, por mbetet në Serinë A!

Nuk do të largohet pra nga futbolli që e njeh më së miri. Hamendjet kanë qenë të shumta për të ardhmen e Elseid Hysajt, por me gjasë ai do të vazhdojë në Serinë A, veçse me një tjetër skuadër, Milanin. Mediat italiane theksojnë se klubi nga Lombardia vlerëson cilësitë e mbrojtësit shqiptar, dhe e cilëson si të nevojshëm për skuadrën e trajnerit Stefano Pioli sezonin e ardhshëm dhe më tej. Drejtuesit Paolo Maldini dhe Ivan Gazidhis kërkojnë të gjejnë një alternativë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kjo, sepse futbollisti portugez Diogo Dalot pritet të kthehet në qershor tek Mançester Junajtidi.

Hysaj nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën me Napolin, që i përfundon këtë verë, dhe agjenti Xhufredi ka punuar që nga janari për të gjetur skuadrën e re. Për zv. kapitenin e kombëtares së Shqipërisë interesohet edhe Roma gjithashtu në Serinë A, të paktën siç është raportuar në mediat italiane. Shqiptari ka 7 vjet në elitën e futbollit në Apenine që kur ishte tek Empoli nën drejtimin e trajnerit Sarri në sezonin 2014-2015. Ai ka luajtur mbi 200 ndeshje në Serinë A, duke shënuar vetëm një gol, por duke pasur përvojë të madhe, ndërsa me kombëtaren shqiptare është aktivizuar për 57 ndeshje dhe ka shënuar gjithashtu një gol.

Sfidanti.al