Një nga lajmet më të këqija që mund të merrnim. Marash Kumbulla nuk do të luajë për Shqipërinë ndaj Anglisë, në ndeshjen eleminatore të kësaj së diele. Mbrojtësi i Romës ka ndjerë shqetësime në gju dhe trajneri Edi Reja, në konsultim me stafin mjekësor të kombëtares, ka vendosur të mos rrezikojë. Në vend të tij, titullar pritet Veseli. Gjithsesi, Reja nuk pritet të bëjë ndryshime të tjera në formacion, në krahasim me Andorrën. Burime pranë ekipit bëjnë me dijë se italiani pritet të hedhë në fushë të njëjtët futbollistë me të cilët luajti në fushën e Andorrës, në fitoren 1-0 këtë të enjte, ndonëse ndonjë dyshim ekziston.
Së pari duhet parë gjendja fizike e Ledian Memushajt, njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, i cili u duk i lodhur në Andorrë dhe u zëvendësua në minutën e 62-të. Sa për autorin e golit, Lenjanin, atij mund t’i jepet besim në krahun e majtë, në krahasim me Uzunin i cili është lojtar shumë më i fortë ofensiv, por ndaj Anglisë shqetësim i madh është mbrojtja. Gjithsesi, Reja mund të ndërhyjë në ekip më shpejt, gjatë kohës së ndeshjes në “Arenën Air Albania”. Zëvendësimet pritet të bëhen më herët, madje edhe që në pushim, e kjo për shkak të shpenzimit të energjive nga lojtarët në sfidën e parë eleminatore të Kupës së Botës.
Sfidanti.al