Xherrard: Falenderoj tifozët e Liverpulit, emocione të mëdha për mua dhe familjen!

Ishte e pritshme, por sërish emocionet ishin të fuqishme. Tifozët e Liverpulit i bënë një pritje madhështore ish-kapitenit të tyre, Stiven Xherrard, edhe pse ai u kthye si kundërshtar. Përpara nisjes së ndeshjes, stadiumi “Anfild” brohoriti emrin e tij, ndërsa Xherrard erdhi si trajner i Aston Vilës. Për 17 vite, ish-mesfushori ishte një legjendë, fitoi Championsin dhe tifozët e quajnë një nga yjet më të mëdhenj në histori. Gjithsesi, më pas emocionet u përqëndruan tek ndeshja, të cilën Liverpuli e fitoi me shumë vështirësi 1-0. U desh një gol me penallti fituar dhe shënuar nga Mohamed Salah për të siguruar tri pikët në një provë të fortë. Xherrard, që ishte i vendosur për të pasur sukses me Aston Vilën, komentoi kështu.

“I falenderoj shumë tifozët për pritjen, – tha ish-kapiteni, – emocionet ishin të mëdha për mua dhe për familjen time. Respekti im për tifozët është maksimal. Ishte normale ajo që ndodhi sepse unë kam kaluar shumë vite në “Anfild” si lojtar. Gjithsesi, si trajner i Aston Vilës u përpoqa ta bëj punën sa më mirë. Mendoj se meritonim një penallti, gjyqtari dhe VAR-i duhej të kishin ndërhyrë”.

Xherrardi e pati fjalën për një moment të dyshimtë në pjesën e dytë. Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, pati lavdërime për kolegun. “Padyshim që ai do ta lerë gjurmën e tij tek Aston Vila, – tha Klopi, – ndoshta ndaj nesh ishte e vështirë, por në ndeshjet e tjera ekipi i Stivenit luajti shumë mirë futboll. Edhe këtë herë, në 15 minutat e fundit ishin të rrezikshëm”.

Klopi e vlerësoi ekipin e tij edhe pse fitoi vetëm 1-0. “Unë nuk jam i pakënaqur, – tha Klopi, – ne e merituam golin, e merituam fitoren. Për 75 minuta ne ishim me diferencë skuadra më e mirë, por nuk ishte e lehtë sepse Vila u mbrojt me shumë lojtarë në zonë. Gjithsesi, duhet ta pranoj se ishte vetëm 1-0, dhe ne e hapëm pak portën për ta”. Liverpuli ka 37 pikë duke qenë në vendin e dytë në Premier Ligë, një pikë më pak se Siti, dhe një pikë mbi Çelsin.

Sfidanti.al