Edhe pse së fundmi, Barcelona po kalon një formë të mirë, si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, sërish trajneri Ksavi nuk ndryshon qëndrim, duke thënë se në fundin e sezonit do të largohet. Xavi nuk ndryshon qëndrim për sa i përket të ardhmes së tij. Tekniku spanjoll është i vendosur për tu larguar nga Barcelona në fundin e këtij sezoni. I pyetur së fundmi, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Las Palmasit në La Liga, 44-vjeçari konfirmoi edhe një herë vendimin e tij. “Besimi dhe miqësia me presidentin është e pacenuar, gjithashtu edhe me Decon, por kjo nuk ndryshon asgjë. Mendoj çfarë është më e mira për klubin, insistoj që vendimi për t’u larguar në fund të sezonit është aty dhe nuk ndryshon asgjë”, tha ai. Xavi këmbënguli të nënvizonte mirënjohjen e tij për të gjitha nivelet e klubit, sepse i ka pasur në krah gjithmonë, në kohë të vështira. Presidenti blaugranas, Joan Laporta është i bindur se Barça do ta përfundojë mirë sezonin dhe se trajneri meriton të ketë vazhdimësi, për të vijuar me zhvillimin e projektit të tij. Katalanasit po kalojnë një peridhë të mirë kohët e fundit mes kampionatit dhe Champions League-s. Ish-mesfushori legjendë i Barcelonës e ka të qartë se për të vazhduar duhet të ekzistojnë rrethana të caktuara, si për shembull të ketë më shumë opsione për të investuar dhe përmirësuar skuadrën. Situata ekonomike mbetet e komplikuar në kampin katalanas, ndaj është e vështirë që kjo të ndodhë. Teksa Xavi do të largohet në fundin e këtij edicioni nga Barça, në Angli raportojnë se 2 klube kanë shprehur interesim për të. Chelsea dhe Newcastle po e konsiderojnë teknikun spanjoll për sezonin e ardhshëm. Si Maurizzio Pochettino në krye të bluve të Londrës, ashtu edhe Eddie Howe në krye të stolit të Newcastle nuk e kanë të sigurt vendin e punës, pas rezultateve të dobëta që skuadrat që ata drejtojnë po kalojnë.
sfidanti.al