Ndeshja që konsakroi Milanin mes gjigandëve të Europës u regjistrua në finalen e vitit 1994. Një sfidë që kompletoi punën e madhe të bërë nga familja Berlusconi me kuqezinjtë që 10 vite më parë madje rrezikonin edhe rrëzimin në Serie B. Finalja e Ligës së Kampioneve mes Milanit dhe Barcelonës në vitin 1994 nuk pati histori edhe pse “Djalli” e nisi si skuadra më pak favorite për ta fituar këtë duel. Daniele Massaro dy herë dhe Dejan Savićević e Marcel Desailly vulosën fatin e ndeshjes ku katalanasit edhe pse një nga skuadrat më premtuese të kontinentit, morën një leksion të vërtetë futbolli. Tekë e fatit që ajo mbrëmje të ishte pikërisht ndeshja e Tassotit, zëvendësues i kapitenit Baresi që në atë sfidë nuk mund të luante, ndërsa 12 muaj pas disfatës në finalen me Olympique Marseille, Milani arriti të ngrinte në qiell trofeun e lakmuar. Në stadiumin olimpik të Athinës, Milani luajti edhe pa Marco Van Basten të dëmtuar dhe sulmuesin më të shtrenjtë të kohës, Gianluigi Lentini, i blerë për 15 milionë euro. Fabio Capellos iu desh të hiqte dorë edhe nga Florin Răducioiu, Jean-Pierre Papin dhe Brian Laudrup për shkak të rregullores me 3 lojtarë të huaj në fushë. Në krahun tjetër, Johan Cruyff vendosi të mos hidhte në fushë Michael Laudrup, pikërisht lojtari të cilit Capello i trembej më shumë dhe në fund të ndeshjes strategjia rezultoi e saktë për italianët që i mohuan Barcelonës Champions-in e dytë në një vit ku blaugranat kishin fituar gjithcka, përfshirë edhe titullin e katërt rresht në Spanjë.
sfidanti.al