Unai Emeri ishte i detyruar që të vinte një bast që mund të dalë plotësisht i humbur. Trajneri i Vijarrealit e kishte të pamundur të mos linte pushim shumë nga titullarët për të provuar mrekullinë në Champions në mesjavë ndaj Liverpulit, ndërsa mbërritja e Ligës së Kampionëve që nga kampionati është e pamundur. “Nëndetësja e Verdhë” hyri në fushë ndaj Alaveshit me plot 8 lojtarë të ndryshuar, një rotacion rrënjësor, që ndikoi direkt në mënyrën e lojës së skuadrës që u mund 1-2 në stadiumin “armik”. Vetëm Pau Torres, Pareho dhe Çukueze ishin titullarë në krahasim me ndeshjen e “Anfildit”. Vijarreali mbetet në vend të 7-të të renditjes në La Ligë ndërsa duhen edhe 4 ndeshje deri në fund. Shpresa mbetet që të përmbyset humbja 0-2 në Angli ndaj Liverpulit dhe të arrihet kualifikimi për në finalen e madhe të Championsit.
Sfidanti.al