Vidal: FIFA dikë e sheh me syrin e “nënës”, kurse dikë.. me syrin e “njerkës”!

Ylli i ekipit përfaqësues të Kilit, Arturo Vidal, vuri në dukje, këto ditë, se FIFA përdor dy kute në trajtimin që ajo u bën futbollistëve, pra, dikë e sheh me syrin e “nënës”, kurse dikë tjetër me syrin e “njerkës”. Konkretisht, Vidali që luan me Bajernin e Mynihut, fjalën e ka për Lionel Mesin që, marsin e fundit, u dënua që të mos luante katër ndeshje, por, të premten e kaluar, ky dënim u anulua me “argumentimin” se nuk ka prova të mjaftueshme që të provojnë aktin, për të cilin u dënua, fillimisht, Mesi. Kili, ndërkohë, gjithashtu, ka pësuar disa dënime jo të vegjël nga FIFA për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës së Rusisë-2018.

Horhe Valdivia dhe Geri Medel janë dënuar që të mos luajnë katër ndeshje, për shkak të incidenteve të ngjajshëm me atë të Mesit, ndërsa Eduardo Vargas është pezulluar dy ndeshje, për shkak se ka luajtur me dorë. Në këto kushte, Vidali mendon se rregullat nuk vlekan njëlloj për të gjithë. “Do të desha që rregullat të ishin njëlloj për të gjithë. Është mirë për Argjentinën dhe futbollin që Mesi të jetë në fushë, sepse ai luan me zemër për ekipin e vet. Kjo është mirë edhe për të, por unë do të desha që trajtimi nga FIFA të jetë i njëjtë për të gjithë”, thotë Vidali.

Sfidanti.al