Pjesëtari i përfaqësueses së Brazilit, Paulinjo, u largua nga Barcelona, pasi luajti me të vetëm një vit, duke vendosur që të kthehet në Kinë. Paulinjo, në fakt, verën e kaluar, erdhi te Barcelona nga ekipi Evergrande i Kinës, ndërkohë që shumëkush e quajti blerjen e tij si një gabim të madh të klubit katalonjas. Por, ky futbollist brazilian zhvilloi një sezon mjaft të mirë, duke e justifikuar sjelljen e tij nga Kina e largët.
Por, mbas Botërorit Rusi-2018, tifozët e Barcelonës u habitën, kur mësuan se ai do të kthehej në Kinë. Në fakt, klubi katalonjas ia ka dhënë Paulinjon si huazim njëvjeçar Evergrandes, por, sidoqoftë, ky klub kinez po të dojë, mund të blejë atë për 50 milionë euro. Por, ajo që nuk dihet, është se trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ishte kundër largimit të Paulinjos që, sipas trajnerit në fjalë, ishte i rëndësishëm për ekipin, por nuk mendoi kështu kryesia e klubit katalonjas.
Sfidanti.al