“Tereku i Groznit bën një kërcim tjetër përpara. Mbrojtja e Zenitit të Shën Peterburgut, përsëri, dështon, kësaj here edhe falë dygolëshit që shënoi sulmuesi shtatgjatë biond i ekipit çeçen, Bekim Balaj”, vinte në dukje, këto dite, një nga portalët kryesorë rusë, Sportclub.ru., duke vazhduar më poshtë të japë detaje rreth aftësive futbollistike të këtij futbollisti shqiptar.
Në sfondin e futbollistëve të sapoardhur që janë dalluar në premier-ligën e Rusisë dhe që kanë ardhur, gjatë sezonit veror të kaluar të transferimeve, sulmuesi i Terekut, Bekim Balaj, gjatë një kohe të gjatë, qëndroi në hije të futbollistëve të tjerë, si Zhuliano, Fernando, Maka, Zhonatas, etj., por portali rus i lartpërmendur përpiqet që ta korrigjojë mosmarrjen parasysh, më parë, të këtij futbollisti, pjesëtar të ekipit përfaqësues të Shqipërisë, që po kryeson garën e golëshënuesve më të mirë të kampionatit rus, duke sjellë një përshkrim të detajuar të karierës sportive të tij, të cilin ne po e parashtrojmë më poshtë, ashtu sikurse e përshkruan atë vetë portali i sipërpërmendur:
“Ish-lideri i grupit të ‘snajpërve’ Fjodor Smollov nuk po luan, për shkak të një traume, që nga fundi i muajit shtator, kështu që, herët ose vonë, atë do ta zhvendosnin nga vendi i parë. Por me 8 (tëtë) golat e shënuar, sulmuesin e Krasnodarit (Smollov) e arriti dhe, për nga disa tregues suplementarë, e arriti jo Dzjuba, Ze Luishi, Promesi, Zhuliano dhe ndonjë tjetër, por lojtari i ri i Terekut të Groznit, Bekim Balaj, në “regjistrin” e shërbimit të të cilit, duke qenë 25 vjeç, figurojnë pjesëmarrjet e tij në një numër ekipesh, larg atyre të fortë, në kampionatet e Shqipërisë, Çekisë, Polonisë dhe të Kroacisë, si edhe një ndeshje në supërligën turke. Pas kthimit nga ekipi turk Gençlerbirligi, ku ai thuhet se dështoi, më 2010, pasi luajti vetëm një ndeshje zyrtare, ai u bashkua me klubin më të titulluar shqiptar, Tirana, me të cilin ai, gjatë sezonit 2011-2012, u konsiderua si talenti kryesor i kampionatit shqiptar.