Trajnerët pasanikë të Kupës së Botës, Joakim Lëv, më i paguari

Botërori i Rusisë do edhe një muaj që të fillojë, por tashmë kanë filluar që të publikohen disa të dhëna dhe detaje interesante, sic është ajo për pagat e trajnerëve të përfaqësueseve pjesëmarrëse në ngjarjen më të rëndësishme për sportin e futbollit. Ai që i nxori në dritë këto të dhëna ishte Zoomin TV sipas së cilës, trajneri më i paguar i Botërorit të Rusisë është ai i gjermanisë, kampione e Botës në fuqi, Joakim Lëv i cili përfiton një pagë rreth 3.8 milionë Eurosh.

Në vendin e dytë dhe të tretë gjenden pikërisht trajnerët e Brazilit e Francës; Tite dhe Didier Deshamps që përfitojnë nga Federatat e tyre me 3.4 milionë euro secili. Vendi i katërt mbahet nga tekniku i përfaqësueses spanjolle, Hulen Lopetegi me 2.9 milionë i ndjekur në të pestin nga trajneri i përfaqësueses ruse, Stanislav Cherchesov me 2.5 milionë Euro. Mes teknikëve më të paguar të Botërorit janë edhe Fernando Santos i Portugalisë, Carlos Queiroz i Iranit, Gareth Southgate i Anglisë, Jorge Sampaoli i Argjentinës e Oscar Tabarez i Uruguajit. Trajneri me pagën më të ulët në Kupën e Botës së Rusisë është ai i Senegalit Alu Sisè me vetëm 200 mijë Euro.

sfidanti.al