Trajnerët më të njohur të së sotmes, të bashkuar në një forum elitar të UEFA-s, po e shqyrtojnë me seriozitet anulimin e rregullit të golit të shënuar në fushën kundërshtare, kur është fjala për konkurrimet evropiane. Ata, tanimë, e kanë ndërmarrë nismën për ndryshimin e këtij rregulli dhe është vetëm çështje kohe se kur “shtëpia” evropiane e futbollit do ta fusë atë në procedurë.
Xhorxho Marketi, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, vuri në dukje se, tanimë, diskutimi ka filluar për ndryshimin e këtij rregulli në rastin e ndeshjeve të Ligës së Kampioneve dhe të Ligës së Evropës.
“Trajnerët mendojnë se ky rregull duhet të diskutohet. Situata në futboll që nga koha, kur është vendosur ky rregull, ka ndryshuar, pasi nuk është më e vështirë që të shënosh gol në fushën e kundërshtarit, sikurse ka qenë kjo dikur”, theksoi Marketi.
Ky rregull është përdorur për herë të parë në Kupën e Kupave në vitin 1965.
Sfidanti.al