Trajneri italian shkoi me shpresa të mëdha në Londrën Veriore dhe në sezonin e parë realizoi një gjysmë mrekullie. Totenhemi, që ishte në vendet e poshtme të renditjes së Premier Ligës, u kualifikua në Champions majin e kaluar, veçse edicioni i radhës nuk po i justifikon shpresat. Pas një fillimi të mirë, Spërsat po bien gjithnjë e më poshtë dhe humbja në shtëpi ndaj Aston Vilës (0-2) bëri që tani të jenë jashtë zonës Champions. Në vend të katërt është Mançester Junajtidi, ndërsa Liverpuli po afrohet rrezikshëm. Vila arriti një fitore të merituar me gola të shënuar nga Emi Buendia dhe Dagllas Luiz, ndërsa “gjelave” nuk u bënë punë lojtarë shumë të mirë si Harri Kejn, Son, Perishiç apo portieri i Francës, Joris. Tifozët në fund vërshëllyen lojtarët dhe u hodhën kundër presidentit Daniel Levi, që sipas tyre nuk po e forcon skuadrën. Trajneri Konte, sipas mediave angleze, mund të mendojë largimin në fund të sezonit. Totenhemi ka 30 pikë ndaj 32 të Junajtidit dhe 28 të Liverpulit, që kanë nga një ndeshje më pak.
Sfidanti.al