Lionel Mesi mori një dhuratë të shkëlqyer me rastin e ditëlindjes së tij, pasi Argjentina arriti fitoren e parë në Kupën Amerika, duke kaluar në fazën tjetër të këtij turneu kontinental. Argjentina mundi 2-0 Katarin disa orë para se Mesi të mbushte 32 vjeç dhe, megjithëse ai nuk shënoi gol në ndeshjen e lartpërmendur, kapiteni i ekipit luajti një rol të rëndësihëm në performancën më të mirë që tregoi seleksioni argjentinas, i drejtuar nga Lionel Skaloni.
Taktika me dy sulmues pranë Mesit dha frytet e saj dhe ne pamë një Argjentinë më agresive, por, megjithatë, kishte diçka, me të cilën Mesi nuk ishte aspak i kënaqur. Ai u ankua për gjendjen e keqe të fushave, ku po luhen ndeshjet e Kupës Amerika, duke bërë kritika direkte në adresë të vendit organizator, Brazilit.
“Kjo ndeshje ishte e mirë dhe ne bëmë gjithçka që mundeshim. Por, megjithatë, në fusha të tilla nuk mund të luash rrjedhshëm. Topi vinte drejt meje jo natyrshëm dhe unë nuk mund ta prisja atë, sepse ai përplasej te këmbët e mia, për shkak të fushës jo të rrafshët. Të gjitha fushat, ku ne kemi luajtur, janë në gjendje shumë të keqe dhe është shumë e vështirë të luash në to”, deklaroi Mesi.
Sfidanti.al