Tifozët e Interit me ‘ethe’, mbi 300 mijë kërkesa për bileta

Ndërsa kanë mbetur edhe nëntë ditë nga finalja e madhe e Champions League mes PSG dhe Interit, tifozët zikaltër janë kapluar nga “ethet” për të qenë në “Allianz Arena” më 31 maj. Klubi ka marrë mbi 300 mijë kërkesa për bileta, ndërsa vendet në dispozicion janë vetëm 18 mijë, të rezervuara për abonentët më të vjetër dhe anëtarët besnikë të Inter Club. Edhe biletat “neutrale” të UEFA-s janë shitur me kohë përmes një lotarie ndërkombëtare. Në faqet e rishitësve online, çmimet kanë kaluar çdo limit të imagjinueshëm: një biletë që kushton 180 euro në shitjen zyrtare, në sektorin e PSG-së, tani arrin deri në 3 mijë euro, ndërsa një vend i ngjashëm në tribunën e Interit kap vlerën e 4.300 eurove. Kjo tregon qartë se kërkesa më e madhe vjen nga tifozët zikaltër. Madje, nëse dikush është gati të paguajë më shumë, ekzistojnë edhe paketa Prestige VIP që shkojnë deri në 31.882 euro, me vend të garantuar pranë tifozëve VIP të të njëjtës skuadër. UEFA ka paralajmëruar rreptësisht kundër blerjes së biletave nga kanale të paautorizuara, duke sqaruar se hyrja në stadium do të lejohet vetëm përmes pajisjes (smartphone apo tablet) me të cilën është shkarkuar aplikacioni UEFA për biletën elektronike. Ndaj, edhe ndryshimi i emrit në biletë është i ndaluar, për të luftuar fenomenin e rishitjes me çmime të fryra. Pavarësisht përpjekjeve për transparencë, nuk mungojnë polemikat: disa presidentë të Inter Club janë ankuar për mungesën e kodeve, ndërsa tifozë besnikë prej më shumë se një dekade nuk janë përzgjedhur. Klubi ka ftuar këta abonentë të plotësojnë një formular, ndërkohë që shpresa për të qenë në stadium ende nuk është shuar. Finalja po afron dhe ethet veç shtohen…

sfidanti.al