Heysel, 40 vjet nga nata më e errët e futbollit

Më 29 maj 1985, në stadiumin Heysel të Brukselit, futbolli evropian u përball me një nga faqet më të zeza në historinë e tij. Finalja e Kupës së Kampioneve mes Juventusit dhe Liverpoolit u kthye në një tragjedi të vërtetë: 39 persona humbën jetën dhe mbi 600 u plagosën në një kalvar dhune, paniku dhe papërgjegjshmërie. Rreth një orë para fillimit të ndeshjes, huliganët anglezë të Liverpool-it sulmuan sektorin Z, ku ndodheshin shumë tifozë italianë. Një gardh i dobët ndarës u shemb menjëherë dhe filloi një largim masiv vdekjeprurëse. Një mur u rrëzua nën trysninë e njerëzve, shumë ranë dhe u shtypën nga turma në panik. Shumë prej tyre nuk u ngritën më. Stadiumi, një strukturë e vjetër dhe e rrënuar, nuk kishte as masat minimale të sigurisë.

Një nga momentet më prekëse të asaj nate ishte sakrifica e mjekut italian, Roberto Lorentini, i cili, pasi ishte shpëtuar me babanë e tij, u kthye për të ndihmuar një fëmijë të plagosur, por të dy u shtypën për vdekje. Lorentini u nderua me medalje për trimëri. Edhe pse kishte ndodhur një katastrofë, ndeshja u luajt gjithsesi, për të shmangur përleshje të mëtejshme. Juventusi fitoi 1-0 me një penallti të diskutueshme të realizuar nga Platini. Më vonë, shumë prej lojtarëve u shprehën të turpëruar për festimet, pasi nuk ishin të ndërgjegjshëm për shkallën e tragjedisë.

Proceset gjyqësore sollën disa dënime ndaj huliganëve anglezë, zyrtarëve të federatës belge dhe forcave të rendit. Por asgjë nuk mund të shlyejë humbjen e 39 jetëve. Edhe 40 vjet më vonë, plaga e Heysel-it mbetet e hapur, një kujtesë se sporti nuk mund të tolerojë dhunën dhe se siguria duhet të jetë gjithmonë prioritet. Tragjedia e Heysel-it nuk ishte vetëm një dështim i organizimit, por një dënim për një kulturë huliganizmi që kishte marrë hov në ato vite. Dhe që nuk duhet të kthehet kurrë më.

sfidanti.al