Vetëm 17 vjeç e 8 muaj, talenti gjerman, Lennart Karl, po mahnit botën e futbollit dhe tifozët e Bayernit. Brenda vetëm dy ndeshjeve, ai ka arritur të marrë përgjegjësi të mëdha, duke ndihmuar bavarezët në fitoret ndaj Club Brugge në Champions League dhe Borussia Mönchengladbach në Bundesligë.
Karl, një produkt i akademisë së Bayernit, po kalon një moment të artë dhe ka fituar lavdërimet e legjendës së klubit, Lothar Matthäus, i cili madje e ka propozuar për kombëtaren gjermane në prag të Botërorit 2026.
“Ai duhet të ketë minuta me Bayernin. Dhe kur luan për Bayernin dhe ke pasaportë gjermane, atëherë je edhe lojtar për kombëtaren,” – deklaroi Matthäus për Sky Sports DE. Pas golit të parë të Karl-it ndaj Gladbach-ut, ish-‘ylli’ i Interit dhe kampioni i botës nuk kurseu superlativat:
“Ajo mënyrë se si shënoi ndaj Brugge më kujtoi dikë që ka fituar Topin e Artë shtatë ose tetë herë: Messin. Ai ka gjithçka që kërkon një sulmues modern.”
Edhe Joshua Kimmich, simbol i Bayernit dhe i Gjermanisë, ka vlerësuar talentin e ri, por kërkon durim:
“Shpresoj që ta shijojë këtë fazë të karrierës. Për momentin nuk ka presion apo pritshmëri të mëdha. Ai po punon fort në stërvitje dhe do të ketë mundësi të tregojë vlerat e tij çdo herë që futet në fushë.”
Lennart Karl duket se është gati të ndjekë gjurmët e legjendave dhe me krahasime me Messin në këtë moshë, pritshmëritë vetëm sa rriten.

