Ndoshta ka ardhur koha për të ndërruar ajër. Pas 8 vjetësh tek Lacio në Serinë A, Tomas Strakosha duket se do të ndërrojë ekip dhe do të largohet nga ekipi dhe klubi që është cilësuar gjithnjë si shtëpia e tij. Portieri i kombëtares shqiptare përfundon kontratën në Romë këtë verë, dhe ende nuk ka lajme për rinovimin, ndërsa që nga Anglia e pëlqen klubi i Premier Ligës, Njukasëlli. Gardiani 27-vjeçar kërkon të fitojë një kontratë më të lartë se deri tani, ndërsa është në moshën e duhur të pjekurisë për rolin e tij. Synimi i tij është që të vazhdojë tek Lacio, por me rrogë 2 milionë euro në sezon, që mund të shkojë në 3 milionë me shpërblime të ndryshme.
Nuk dihet nëse Lacio mund ta përballojë diçka të tillë, e për më tepër besohet që trajneri Mauricio Sarri nuk e ka shumë të preferuar shqiptarin, edhe pse po luan titullar për 5 ndeshje me radhë. Njukasëlli, që është fuqizuar financiarisht pasi aksionet u blenë nga familja mbretërore e Arabisë Saudite, nuk e ka problem t’i garantojë një pagë më të lartë sesa ajo që mund të marrë në Itali. Për më tepër, stafi teknik i klubi anglez e vlerëson Strakoshën duke e cilësuar si një portier shumë të mirë. Njukasëlli mendon edhe për portierë si Din Henderson apo Bernd Leno, por shqiptari mbetet favoriti, gjithnjë sipas mediave në Angli. Pas më shumë se 215 ndeshjeve në 8 sezone në Itali, Strakosha mund të bëjë hapin e radhës në karrierë.
Sfidanti.al