Një trajner tepër energjik, tepër kërkues, dhe mjaft i përgatitur është një “bekim” për një skuadër futbolli. i tillë edhe Antonio Konte, pavarësisht kritikave që i bëhen shpesh stilit të tij si jo edhe aq spektakolar. Pasi pati suksese me Juventusin, Çelsin dhe Interin, e pasi la përshtypje shumë të mirë me kombëtaren e Italisë, Konte po realizon një mrekulli tek Totenhemi. Fitorja 4-0 në fushën e Aston Vilës jo vetëm që ishte diçka e madhe në stadiumin “Vila Park” që nuk është i lehtë për t’u “pushtuar”, por edhe ishte një hap i fuqishëm drejt kualifikimit për në Champions sezonin e ardhshëm. Diçka që as nuk mendohej kur italiani shpërthyes u ul në stolin e Spërsave disa muaj më parë.
“Ne duhet të vazhdojmë të tregojmë ambiciet tona, – tha Konte pas fitores, – duhet të jemi “vrasës” të ndeshjeve, duhet të përfitojmë nga gabimet e rivalëve, por nuk duhet ta ulim ritmin, të mos kënaqemi me këtë që kemi arritur. Arsenali, Uest Hemi dhe Man. Junajtidi janë rivalët tanë për Championsin”. Në Angli thonë se suksesi me Totenhemin është i barabartë me atë që Konte bëri me Interin apo Juventusin. Spërsat kanë 57 pikë në 31 ndeshje në vend të katërt, Arsenali ka 54 pikë në 30 ndeshje, ndërsa Uest Hemi e Mançester Junajtidi kanë nga 51 pikë në 31 ndeshje.
Sfidanti.al