Spanja, Franca dhe Italia – në sulm kundër fronit të Portugalisë !

Të dielën do të nisë një betejë e re për titullin e kampionit të Evropës, kësaj here midis ekipeve përfaqësues të të rinjve deri në moshën 19 vjeç. Mbas përfundimit të Evropianit U-21 që u fitua nga Spanja që mundi në finale 2-1 Gjermaninë, në Armeni do të zhvillohet kampionati evropian për ekipet U-19.

Tetë ekipe përfaqësues që janë ndarë në dy grupe, do të nisin “marshimin” e tyre drejt fronin evropian. Grupi A do të përbëhet nga Armenia organizatore, Portugalia, Italia dhe Spanja, kurse në Grupin B do të bëjnë pjesë Çekia, Irlanda, Norvegjia dhe Franca. Për në fazën e dytë do të kualifikohen dy ekipet që do të zënë dy vendet e parë në secilin grup dhe që do të konkurrojnë në gjysmëfinale.

Titullmbajtëse është Portugalia që edhe në ketë Evropian konsiderohet favorite, ndërkohë që favorite janë gjithashtu Spanja, Franca dhe Italia.

Vendi me më shumë trofe në këtë kategori moshe është Spanja me gjashtë tituj në 16 kampionatet e fundit evropianë, e ndjekur nga Franca me tre dhe Italia e Portugalia me nga një titull.

Evropiani i sivjetëm U-19 do të zhvillohet në tre stadiume në Erevan, ndërsa ndeshja finale do të zhvillohet më 27 korrik në stadiumin “Respublikanskij stadion” të kryeqytetit armen.

Sfidanti.al