“Skaj Sports” depërton i pari: Modriç do të fitojë çmimin e tretë

Përfundimisht, 2018-ta është viti i Luka Modriçit. Kapiteni i përfaqësueses kroate dhe pjesëtar i Realit të Madridit të hënën e ardhshme do të fitojë “Topin e Artë”, trofeu më prestigjioz, të cilin e jep revista e njohur franceze “Frans Futboll”. Të paktën, kështu bën të ditur “Skaj Sportsi” që shton se Kristiano Ronaldo nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së këtij çmimi, megjithëse pritet që ai të marrë numrin më të madh të votave mbas Modriçit. Në fakt, mungesa e tij në ceremoninë e lartpërmendur nuk është e papritur, pasi ai nuk mori pjesë as në ceremonitë që u zhvilluan në Monte Karlo dhe Londër, ku çmimet e lojtarit më të mirë të vitit në botë dhe më të mirë në Botëror i takuan po ashtu futbollistit kroat.
“Skaj Sportsi”, gjithashtu, bën të ditur se në vend të tretë do të dalë pjesëtari i përfaqësueses franceze dhe i Atletikos së Madridit, Antoan Grizman, që gjithashtu nuk do të marrë pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet të hënën në “Grand Palace” të Parisit.
Sfidanti.al