Shqetësimi tek Reali pas derbit ka një emër, Eden Hazar!

Që u luajt një ndeshje e shëmtuar, nuk mund të sjellë mërzi të madhe, pasi këto janë gjëra që ndodhin. Një Atletiko-Real vazhdimisht ka qenë nën shenjën e spektaklit, dhe përjashtimi forcon rregullin, veçse në “Bernabeu” kanë një shqetësim tjetër. E ka emrin Eden Hazar, lojtari më i shtrenjë i marrë në verë, njeriu që duhej të zëvendësonte Kristiano Ronaldon, por që nuk po duket aspak.

Notat nga mediat spanjolle ishin të ulëta, ndërsa tonet e kritikave, të larta për një lojtar që kushtoi mbi 100 milionë euro, dhe që po jep rendimentin e një futbollisti të zakonshëm. Pra, jo “Ferrari”, por “FIAT”, siç është shprehja. Çfarë po ndodh me supertalentin belg, që mrekulloi Premier Ligën? Justifikimet mund të jenë të shumtë për mungesën e formës dhe të ritmit, por këto nuk ia mbushin mendjen kujt. Mbetet vetëm të theksohet vështirësia e përshtatjes, pasi tek Çelsi ai ishte “primadona”, ndërsa në Madrid duhet ta fitojë me forcë këtë status, siç e fitoi Ronaldo. Reali mund të jetë në renditje mbi Atletikon dhe Barcelonën, por me një Hazar të tillë duket sikur i mungon njëra këmbë.

Sfidanti.al