Shpesh është vënë në diskutim në jetën e tij, por gjithnjë ia ka dalë. Etrit Berisha është mësuar me sfidat që kur luante në Suedi për Kalmarin 11 vjet më parë, duke fituar vendin e titullarit e duke u bërë i njohur në të gjithë Europën. Po e përballon sfidën edhe në Serinë A, ku pasi u braktis nga Lacio, dhe u la në stol tek Atalanta, vazhdon të tregojë veten në një skuadër më të vogël si SPAL i Ferrarës.
Ndaj Juventusit, në “Alianc Stadium”, duhej të ishte pasditja e Xhanluixhi Bufonit, që theu rekordin e Paolo Maldinit duke u bërë lojtari me më shumë ndeshje në Serinë A, 903. Në të kundërt, ndryshe nga sa prisnin e dëshironin tifozët, ishte pasditja e Etritit. Shqiptari shkëlqeu mes shtyllave duke ndaluar Ronaldon, Dibalën, Pjaniçin e të tjerët, ndonëse në fund doli i mundur 0-2. Një skuadër më modeste, do të thotë më shumë punë për portierin dhe Berisha po e bën detyrën më së miri. Përtej sfidës në Serinë A, 30-vjeçari ka edhe një sfidë në kombëtaren shqiptare, ku trajneri Edi Reja, për momentin, ka si titullar Tomas Strakoshën, gardianin e Lacios.
Sfidanti.al